SPORT

Gjysmëfinalja mbreslënëse City-Real, Guardiola: Shënuam pak! Ancelotti: Në Bernabeu e përmbysim

Një triller me 7 gola ka rezultuar gjysmëfinalja e parë e Champions League mes Manchester City dhe Real Madrid, e fituar 4-3 nga anglezët. Në fund trajneri Guardiola kishte keqardhje për numrin e vogël të golave të realizuar, ndërsa tekniku italian i Realit thotë se tifozët do e ndihmojnë ekipin për të përmbysur gjithçka në ndeshjen e kthimit.

Kryevepër e futbollit rezultoi gjysmëfinalja e parë e Champions League mes Manchester City-t dhe Real Madrid, me anglezët që në Etihad Stadium fituan 4-3 serinë e pandalshme të golave.

Spektaklin e paharruar e nisi Kevin de Bruyne që në minutën e dytë, ndërsa pa vonuar shumë Gabriel Jesus dyfishoi duke dhënë idenë e një përballje të lehtë. Gjithsesi në minutën e 33 i përhershmi Benzema trondi City-n, duke shkurtuar diferencat, por me fillimin e pjesës së dytë City kishte sërish një marsh më shumë. Foden realizoi të tretin para se Vinicius të mahniste duke realizuar të dytin për galaktikët. Më tej ishte rradha e Bernardo Silva-s i cili mrekulloi me një supergol, ndërsa në fund edhe njëherë Benzema, por kësaj rradhe me penallti, vulosi shifrat përfundimtare të takimit.

Rezultati 4-3 lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, ndërsa me ‘dopietën’ e tij Benzema shkoi në kuotën e 14 golave këtë sezon në Champions duke siguruar titullin e golashënuesit. Në përfundim të ndeshjes trajneri i City-t Guardiola kishte keqardhje për numrin e pakët të golave në krahasim me rastet, ndërsa Ancelotti i Real Madrid u shpreh se ‘mund të kishte shkuar më keq, por ndeshjen e kthimit do na ndihmojë stadium Bernabeu’.

Ndërkohë sonte do të luhet gjysmëfinalja tjetër mes Liverpool dhe Villareal. Anglezët shihen si superfavoritë, por trajneri Kloop ka deklaruar se ‘duhen shmangur gabimet e Juventusit dhe Bayern-it’, dy skuadra të eliminuara nga spanjollët. /Tetovarja.Com

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close